Kosova

Kurti refuzon qeverinë tranzicionale: Fton sërish LDK-në për koalicion, por përballet me refuzim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për herë të parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke komentuar situatën politike në vend dhe ngërçin institucional që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka hedhur poshtë idenë për një qeveri tranzicionale, të propozuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se është i interesuar vetëm për një “qeveri normale”.

Kurti ka bërë të ditur se i ka dërguar një ftesë të dytë Abdixhikut për të diskutuar mundësinë e një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, duke u shprehur se pas reformave të fundit në këtë parti, bashkëpunimi do të ishte më i lehtë se më 2020, kur të dy partitë kishin bashkëqeverisur. Megjithatë, edhe kjo përpjekje është refuzuar nga LDK-ja.

“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë, siç e dini, i ftova kryetarët e partive PDK-së dhe LDK-së. Ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së kanë shprehur qëndrime se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë arsye i shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua”, deklaroi Kurti.

Ai vlerësoi se ideja për një qeveri të tranzicionit është paradoksale dhe e papranueshme për Vetëvendosjen. “Ne duam qeveri normale, jo të përkohshme, e as të tranzicionit, e aq më pak të opozitës. Dorën në zemër, ky togfjalësh është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jetë opozitë e qeverisë”, shtoi ai.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button