Kurti pret Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, diskutojnë për forcimin e institucioneve demokratike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për raportet periodike të OSBE-së për Kosovën, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në temat dhe projektet me interes të përbashkët.
“Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Kosovë është në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike, përmirësimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Kryeministri Kurti ka falënderuar z. McGurk për takimin dhe bisedën konstruktive, duke vlerësuar lart kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së ndaj Kosovës.