Kosova
Kryesore

Kurti për 15-vjetorin e mendimit të GJND-së: Akt historik që vulosi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 15-vjetorin e mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si “një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se ky mendim i dha dritë jeshile njohjes së së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje dhe liri, duke e quajtur atë si një akt që vulosi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare.

“Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ai është dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”, shkroi Kurti.

Ai tha se ky mendim mbetet një leksion i rëndësishëm për juristët e brezave të ardhshëm për parimësinë dhe etikën në të drejtën ndërkombëtare, si dhe një kujtesë për Serbinë, që sipas tij, u përball me një humbje të rëndësishme politike kur kërkoi opinionin e GJND-së.

“Nuk do mend se vlera juridike e këtij mendimi do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale”, shtoi ai.

Kurti e përshkroi mendimin e GJND-së si një shembull frymëzues për popujt liridashës nëpër botë, duke besuar se drejtësia për kauzën e tyre mund të triumfojë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button