Kurti ofron koalicion qeverisës me LDK-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke i ofruar mundësinë e një koalicioni qeverisës. Në letrën e tij, Kurti ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje politike, duke theksuar se, megjithëse ka dallime në bindjet dhe politikat qeverisëse, koalicionet bëhen pikërisht midis grupeve me dallime, kur prioritet janë nevojat dhe interesat e shtetit dhe qytetarëve.
Kurti ka vënë në dukje se LDK-ja është një parti që nuk ka hezituar të hyjë në koalicione të tilla në të kaluarën, duke i rikujtuar Abdixhikut se mospajtimet që mund të ekzistojnë tani, nuk janë më të mëdha se ato që LDK ka pasur para koalicioneve të mëparshme.
Gjithashtu, Kurti ka përmendur bashkëpunimin me LDK-në në qeverinë Kurti 1, ku, sipas tij, nuk ka pasur probleme me Abdixhikun, por me disa individë që tashmë nuk mbajnë pozita të larta në partinë e tij.
Kjo letër e Kurtit vjen në një moment kur ka spekulime për mundësinë e një bashkëpunimi politik midis LVV-së dhe LDK-së për formimin e një qeverie të re në Kosovë.