Kurti merr pjesë në koncert Jazz në Mitrovicë: “Mitrovica është e të gjithëve, në të dy anët e Ibrit”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë të premten në një koncert të muzikës Jazz të mbajtur në Mitrovicë, si pjesë e një serie prej nëntë koncertesh që po zhvillohen në të dy anët e lumit Ibër.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se këto ngjarje kulturore janë dëshmi e bashkëjetesës dhe nuk mund të pengohen nga askush.
“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor”, u shpreh ai.
Kreu i ekzekutivit në detyrë e përshkroi Jazz-in si një gjuhë muzikore që “lë hapësirë për liri, improvizim dhe shprehje autentike”, duke shtuar se kjo frymë po pasqyrohet edhe në jetën kulturore të Mitrovicës, që sipas tij është “e hapur, dinamike dhe krijuese”.
Kurti falënderoi institucionet, artistët dhe komunitetin për organizimin e festivalit, duke e cilësuar atë si rezultat të përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes të gjitha palëve të përfshira.