Kurti me afat deri të dielën për formimin e qeverisë, pritet vendimi i Kushtetueses në fundjavë

Të dielën e kësaj jave, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, pritet ta dëshmojë para deputetëve të Kuvendit nëse ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë Kurti 3. Kjo, përveç nëse deri atëherë Gjykata Kushtetuese sjell një vendim lidhur me ankesën e Listës Serbe, e cila mund të ndikojë në proces. Burime të RTV21 bëjnë të ditur se vendimi i Gjykatës mund të vijë gjatë fundjavës.
Një ditë më parë, Kurti pranoi se ka vështirësi në sigurimin e shumicës, por theksoi se do të vazhdojë përpjekjet deri në momentin e fundit. Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, megjithatë, shprehet optimist se Qeveria Kurti 3 do të zgjidhet brenda afatit kushtetues.
“Sigurisht se është momenti që të zgjidhet Qeveria Kurti 3 dhe ne si LVV presim reflektim nga deputetët e opozitës për të krijuar institucionet tona. Besoj se do të ketë numra dhe Qeveria do të formohet,” tha Thaçi.
Nga ana tjetër, partitë kryesore opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë konfirmuar për RTV21 se nuk do ta mbështesin një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e arsyetuar këtë me “dëmet që ai i ka shkaktuar vendit gjatë qeverisjes së tij”.
Në këtë situatë, Kurti pritet të intensifikojë kontaktet me deputetët e komuniteteve jo-serbe. Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, ka njoftuar se do të takohet me Kurtin sapo ai të kthehet nga vizita në Londër.
“Pas kthimit të tij do të takohemi për formimin e Qeverisë. Unë si përfaqësues i komunitetit Rom jam i gatshëm për takim,” tha Kinolli.
Mbështetjen e kanë konfirmuar partnerët aktualë të koalicionit qeverisës, Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike dhe Emilia Rexhepi nga Partia e Re Demokratike. Megjithatë, jo të gjithë deputetët e komuniteteve janë të bindur.
Deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, tha se do të pranojë një ftesë për takim me Kurtin, por se vendimi për votë do të varet nga përmbajtja e marrëveshjes.
“Jemi të gatshëm për takim, por pas takimit do të vendosim. Kërkojmë harmonizim të programeve. Gjithçka varet nga mandatari,” deklaroi Berisha.
Ndërsa deputetja boshnjake, Duda Balje, theksoi se qëndrimi i saj mbetet i njëjtë – kërkon formimin e Komunës së Boshnjakëve si kusht për mbështetje.
Albin Kurti ka afat deri të dielën për të siguruar të paktën 61 vota. Nëse dështon, presidentja mund t’ia japë mandatin një partie apo koalicioni tjetër që dëshmon shumicën. Në rast se dështon edhe kandidati i dytë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.



