Kurti: Deklaratat e Vuçiqit janë kërcënuese dhe destabilizuese, nuk do të frikësohemi

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilat i cilësoi si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën nga ndërtesa e Qeverisë, Kurti tha se këto deklarata janë bërë pas arrestimit dhe paraburgosjes së Igor Popoviqit, ndihmësit të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe. Ai theksoi se rasti po trajtohet nga institucionet e drejtësisë së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk është më qëndrim individual, por politikë shtetërore”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se deklaratat e Vuçiqit nuk duhen neglizhuar, duke e akuzuar këtë të fundit për nxitje tensionesh dhe përhapje të gjuhës së urrejtjes.
“Vijnë nga një udhëheqës që kontrollon aparatin ushtarak dhe strukturat e sigurisë së një shteti që historikisht ka shkelur të drejtat e popujve fqinj, përfshirë kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, deklaroi ai.
Kurti përfundoi deklarimin e tij duke thënë se Kosova nuk frikësohet nga retorika e Vuçiqit, por mbetet e vendosur për të mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë.