Kosova
Kryesore

Kupchan: Pezullimi i Dialogut Strategjik, shenjë frustrimi të SHBA-së ndaj Kurtit

Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën është rezultat i pakënaqësisë së grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kupchan tha se ky është një paralajmërim serioz, pasi Ballkani ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja dhe jo për më pak. Ai theksoi se pezullimi është një formë presioni mbi Kurtin për të formuar një qeveri funksionale, për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë dhe për të vepruar në mënyrë më konstruktive.

Sipas tij, Uashingtoni është i shqetësuar për vendimet e Kurtit, përfshirë ndalimin e dinarit serb, moszbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe retorikën ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë shtuar tensionet dhe paqëndrueshmërinë.

Kupchan paralajmëroi se Kosova rrezikon izolim ndërkombëtar nëse nuk ndryshon qasje, ndërsa theksoi se SHBA-ja nuk do të heqë dorë nga rajoni, por do të përdorë mjete presioni për të rikthyer stabilitetin.

Ai shtoi se është në interes të Kosovës që të ruajë marrëdhënie të forta me SHBA-në dhe se të gjitha partitë politike në vend duhet të bëjnë kompromis për formimin e një qeverie të re funksionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button