Kukësi i jep sërish “jo” Partisë Socialiste: Biznesi dhe opozita flasin për diskriminim dhe mungesë investimesh

Qarku i Kukësit vijon të mbetet bastion i djathtë në hartën politike të Shqipërisë, duke votuar sërish kundër Partisë Socialiste në pushtet. Në zgjedhjet e fundit, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike (PD-ASHM) ka fituar bindshëm në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit të këtij qarku, përfshirë qytetin e Kukësit dhe dhjetë njësi administrative — mes tyre edhe vendlindjet e kandidatit socialist Ali Hallaçi dhe kryetarit të bashkisë, Albert Halili.
Komisioni Zonal Zgjedhor (KZAZ) nr. 11 në Kukës përfundoi numërimin e votave për partitë mbrëmjen e së hënës. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë zonë votuan 20,932 zgjedhës, prej të cilëve 10,045 janë gra. Nga 19,950 vota të vlefshme, 9,331 shkuan për koalicionin PD-ASHM, 6,229 për Partinë Socialiste dhe 3,880 për Partinë Socialdemokrate.
PD-ASHM ka siguruar një epërsi prej 3,102 votash ndaj socialistëve, duke marrë dy nga tre mandatet që i takojnë qarkut të Kukësit.
Përfaqësues të biznesit dhe opozitës në Kukës e konsiderojnë këtë rezultat si një votë ndëshkuese ndaj qeverisë për, sipas tyre, diskriminimin sistematik që i është bërë zonës në aspektin e shërbimeve dhe investimeve.
“Rrugë të paasfaltuara, shërbim mjekësor i mangët, një administratë e paaftë dhe mungesa e hyrje-daljeve të rregullta për shkak të urës së re janë vetëm disa nga arsyet pse qytetarët refuzuan Partinë Socialiste,” deklaroi për BIRN Petrit Lleshi, përfaqësues i biznesit në Kukës.
Ndërkohë, drejtuesi politik i PD-së në këtë qark, Flamur Hoxha, e cilësoi këtë fitore si një besim të madh që kërkon përgjegjësi.
“Kjo votë është një sinjal i qartë i pakënaqësisë qytetare, si ndaj administratës vendore, ashtu edhe ndaj qeverisë që ka neglizhuar Kukësin në investime, ndonëse ky rajon jep një kontribut të rëndësishëm në ekonominë kombëtare,” tha Hoxha.
“Ne si opozitë do t’i dalim për zot këtij besimi, duke përfaqësuar zërin e qytetarëve në parlament,” shtoi ai.
Partia Socialiste vijon të mos fitojë asnjë palë zgjedhje në Kukës që prej 31 marsit 1991, me përjashtim të rasteve të viteve 1997 dhe 2001, kur Namik Dokle dhe Shyqyri Duraku fituan përmes përballjeve mazhoritare, por pa arritur të dominojnë në përfaqësimin e zonës.