Kosova

Kufizim i ri për qarkullimin e automjeteve të rënda për shkak të temperaturave të larta

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për një masë të re kufizuese që do të hyjë në fuqi nga nesër, më 23 korrik, për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.

Sipas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, ndalohet qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 15 ton në autoudhë, si dhe në rrugët nacionale dhe rajonale, në intervalin kohor prej orës 11:00 deri në 17:00. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri më 28 korrik.

“Ky vendim është marrë për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit gjatë orëve më të nxehta të ditës,” deklaroi Durmishi.

Ai shtoi se masa kufizuese do të vlerësohet në vazhdimësi dhe mund të ndryshohet në varësi të kushteve klimatike që do të mbizotërojnë gjatë ditëve në vijim.

Ky vendim vjen në kohën kur vendi po përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta, që në disa rajone po kalojnë 38°C. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet gjatë pikës kulmore të vapës dhe të respektojnë masat e sigurisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button