
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë raportin për vitin 2024, ku evidentoi, ndër të tjera, problematikat e shkaktuara nga mungesa e theksuar e prokurorëve. Ai theksoi se 35% e organikës është bosh, duke sjellë vonesa në hetimin e dosjeve penale.
Çela përmendi gjithashtu problemet që lidhen me infrastrukturën, si gjendja e disa godinave të prokurorive në qendër dhe në rrethe. Po ashtu, ai iu përgjigj interesit për përpjekjet në drejtim të parandalimit dhe ndëshkimit të krimeve zgjedhore. Në fjalën e tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm raportoi mbi punën e organit hetimor përgjatë vitit 2024. Ai ngriti shqetësimin për numrin e ulët të prokurorëve dhe ngarkesën e lartë që rëndon mbi ata që ushtrojnë detyrën.
Pas mbledhjes së KLP-së, Çela iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi veprimet që po ndërmerren nga organet e zbatimit të ligjit për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61.091 materiale kallëzuese, që përbën një rritje prej 10,5% në krahasim me vitin 2023.
Kryeprokurori ngriti gjithashtu shqetësimin për zvarritjen e vendimmarrjes në lidhje me ndarjen e hapësirave dhe financimin për ndërtimin e godinave të disa institucioneve të drejtësisë në Tiranë. Sipas tij, kjo çështje mbetet ende e pazgjidhur, pavarësisht nevojës urgjente që ajo paraqet.