Kosova

Kryeministri Kurti zhvilloi takim virtual me Ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Haddad

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me Ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si vazhdimësi e takimit në Pallatin Elize muajin e kaluar.

 

Kryeministri Kurti tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit evropian, si dhe pret marrjen e Pyetësorit të Komisionit Evropian drejt fitimit të statusit të vendit kandidat. Ai theksoi se ky proces kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e reformave të brendshme, sidomos të administratës publike dhe të gjyqësorit.

 

Të dyja palët biseduan për bashkëpunimin me Francën në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, që do të mbahen në Kosovë, si një mundësi për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve, si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e investimeve dhe tregtisë.

 

Kryeministri Kurti po ashtu shprehu synimin për të fuqizuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përgjatë transformimit avancues të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet euroatlantike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button