Kosova

Kryeministri Kurti nderon dëshmorët Dalip Behra dhe Bekim Gashi në përvjetorin e 26-të të rënies së tyre heroike

Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorëve Dalip Behra dhe Bekim Gashi, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Krushë të Madhe, duke nderuar jetën dhe sakrificën e tyre në shërbim të lirisë së vendit.

Në fjalën e tij, Kurti tha se “jemi mbledhur për të kujtuar rënien e tyre si një akt sublim që e ndriçon të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë”, duke theksuar se idealet e dëshmorëve duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për të gjithë qytetarët, pavarësisht pozitës apo rrethanave.

“Gjatë luftës, kënga e lirisë nuk u ndal. Dhe nuk do të ndalet as në paqe,” deklaroi ai, duke e cilësuar këtë si dëshmi të krenarisë që ndjen populli për të rënët dhe një kujtesë për përgjegjësinë që kemi për të vazhduar rrugën e tyre.

Kryeministri përmendi edhe figurat e shquara si Ukshin Hoti dhe Ismet Gashi, që sipas tij, kanë ndikuar në formimin dhe qëndresën e Dalip Behrës e Bekim Gashit. Ai theksoi rëndësinë e lidhjes ndërbrezore në ndërtimin e historisë kombëtare dhe udhëzimin për të ardhmen.

Kurti nënvizoi se luftëtarët e UÇK-së patën një mision të dyfishtë – të luftonin armikun dhe të mbronin popullsinë – mision të cilin e përmbushën me nder edhe dy dëshmorët e Krushës.

“Historia e Kosovës nuk është vetëm në libra, por e gjallë në çdo qytetar,” tha në fund Kurti, duke shtuar se afërsia në kohë e këtyre ngjarjeve e shton përgjegjësinë për të ruajtur sigurinë kombëtare, për të forcuar institucionet dhe për të mbrojtur çdo cep të vendit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button