Lajme

Kryemadhi pas paraqitjes në SPAK: “240 mijë dollarët nuk janë të gjithë të mi, janë edhe shpenzime të kushëririt tim”

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka mohuar sot akuzat për shpenzime të pajustifikuara prej 240 mijë dollarësh, pas një paraqitjeje në SPAK. Ajo deklaroi se kjo shumë nuk i përket vetëm asaj, por përfshin edhe pagesa të kryera nga karta bankare e kushëririt të saj, Adrian Shatku.

“Kam qenë edhe në Beverly Hills, Santa Monika, Las Vegas, me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën Bebe Rexha dhe disa mikesha me fëmijët e tyre”, tha Kryemadhi, duke theksuar se bëhej fjalë për një udhëtim të vitit 2015 për 10-vjetorin e vajzës së saj, dhe jo për një periudhë trevjeçare siç pretendon SPAK.

Ajo theksoi se pagesat përfshijnë “hotele, bileta avioni, dreka, darka dhe akullore”, dhe se secili nga personat pjesëmarrës ka mbuluar shpenzimet e veta. “240 mijë dollarë është gjithë karta e Zotit Adrian Shatku. I kam kërkuar bankës amerikane faturat vetëm për shpenzimet që më përkasin mua,” shtoi deputetja.

E pyetur për ndonjë ndëshkim të mundshëm, Kryemadhi tha: “Edhe nëse s’kam deklaruar, është një vepër e parashkruar. Ose dhe po të mos jetë, duhet të më gjobisë ILDKP-ja për atë shpenzim që është.”

Në deklaratën e saj, ish-kryetarja e LSI-së kritikoi edhe ish-bashkëshortin Ilir Meta për qëndrimin ndaj çështjes. “Më vjen keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit e të tjerëve,” u shpreh ajo.

Në fund, Kryemadhi doli në mbrojtje të kushëririt të saj, duke theksuar se ai nuk ka lidhje me fondet publike. “Shatku s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit, me tendera apo përfitime nga qeveria shqiptare. Ai është kompani amerikane që punon në 56 vende të botës.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button