Kroacia rezervë për marrëveshjen trepalëshe të armatimit me Kosovën e Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, ka komentuar deklaratat për një bashkëpunim të mundshëm trepalësh në fushën e blerjes së armatimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ai u shpreh se një marrëveshje e tillë është e mundur vetëm mes Kroacisë dhe Shqipërisë, pasi të dyja janë anëtare të NATO-s.
“Kosova ka kushte të tjera për blerjen e armëve dhe është vështirë të formohet një koalicion i përbashkët për blerje me të tria shtetet,” tha Anushiq, raporton Vijesti.
Muajin e kaluar u raportua se tre vendet po punojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, të dakorduar në letër më 18 mars 2025 në Tiranë, kur ministrat e mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët.
Ministritë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Shqipërisë kishin konfirmuar se grupe të ekspertëve janë duke punuar në planin e zbatimit të deklaratës. Në Tiranë u mbajt takimi i parë i grupit zbatues, me qëllim që plani të zbërthehet në nivel operacional. Nga pala shqiptare u bë e ditur se në shtator pritet të prezantohet udhëzuesi për miratim në tri ministritë e mbrojtjes.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, kishte deklaruar më herët se ideja është që të bëhet një porosi e përbashkët, në vend të tri porosive të ndara.
“Për shembull, një sistem armësh që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë si një blerje të vetme. Në këtë mënyrë, çmimi bie dhe koha e liferimit përshpejtohet,” theksoi ai për Radion Evropa e Lirë.
Blerjet e armëve parashihen të financohen me fonde kombëtare të secilit shtet.