Kriza politike shoqërohet me rritje çmimesh – qytetarët përballen me standard jetese të rënduar

Derisa institucionet në vend janë të bllokuara nga ngërçi politik, qytetarët e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, duke u përpjekur të sigurojnë artikujt bazë ushqimorë, çmimet e të cilëve po rriten çdo ditë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i çmimeve të konsumit në korrik 2025 ka qenë mesatarisht 4,3% më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me qershorin e këtij viti, është shënuar një rritje prej 0,2%.
Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te kafeja, çaji dhe kakao (+16,9%), energjia elektrike (+16,6%), mishi (+12,7%), vajrat dhe yndyrat (+9,9%), qumështi, djathi dhe vezët (+6,5%), si dhe buka dhe drithërat (+5,0%).
Nga ana tjetër, rënie çmimesh është shënuar te biletat e fluturimeve (-10,3%) dhe karburantet (-6,2%).
Qytetarët thonë se me të ardhurat që marrin nuk munden të përballojnë as produktet elementare ushqimore, ndërsa ekonomisti Mustafë Kadrijaj thekson se përgjegjës për situatën e rëndë ekonomike është ngërçi politik.
“Për fat të keq nuk kemi as qeveri të mandatuar. Kemi një gjendje shumë të palakmueshme, e cila ka krijuar hapësirë të favorshme për bizneset”, u shpreh Kadrijaj.
Sipas ASK-së, inflacioni në muajin korrik është rritur me 0,2% krahasuar me muajin paraardhës.