Kriza e sulmit fundos Juventusin: Eksperimenti Vlahovic-Kolo Muani dështon keq

Eksperimenti i Igor Tudor me dyshen sulmuese Vlahovic-Kolo Muani ka rezultuar një dështim i madh për Juventusin. Në përpjekje për të ringjallur repartin ofensiv në sfidën ndaj Parmës, trajneri kroat vendosi të rrezikojë me një formacion të ri, por gjithçka shkoi keq që në pjesën e parë. Vlahovic u largua për shkak të një dëmtimi muskulor pas 45 minutash pa asnjë goditje në portë, ndërsa partneri i tij, Kolo Muani, ishte po aq i padukshëm.
Mungesa e harmonisë mes dyshes sulmuese u vu re qartë, siç kishte ndodhur edhe në eliminimin nga Kupa e Italisë ndaj Empolit. Juventusi përfundoi takimin me vetëm tre tentativa të rrezikshme dhe pa arritur të shënojë, duke thelluar krizën që ka marrë përmasa alarmante në repartin ofensiv.
Humbja në “Tardini”, e para për Tudor-in në krye të skuadrës, i ka kushtuar shumë bardhezinjve, që tani kanë rrëshqitur jashtë zonës Champions. Bologna ka kaluar Juventusin, Lazio i është afruar në pikë, ndërsa Roma ndjek nga pas.
Statistikat janë dëshpëruese: Vlahovic nuk ka shënuar prej më shumë se dy muajsh, ndërsa Kolo Muani që nga mesi i shkurtit. As veçmas, as së bashku, nuk po arrijnë të bëjnë diferencën. Vlahovic u ndal nga talenti 18-vjeçar Giovanni Leoni, ndërsa Kolo Muani u shqua më shumë në detyra mbrojtëse sesa si kërcënim për portën kundërshtare.
Pavarësisht gjithçkaje, Tudor përpiqet të ruajë optimizmin, por është e qartë se Juventusi ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme. Sfida e radhës ndaj Monzës është vendimtare. Bardhezinjtë kanë nevojë për gol… dhe për fitore.