Kristian Shpendi ftohet për herë të parë te Kombëtarja A e Shqipërisë

Sulmuesi i talentuar Kristian Shpendi ka marrë më në fund ftesën e shumëpritur për t’iu bashkuar Kombëtares A të Shqipërisë. Pas eksperiencës me ekipet U19 dhe U21, Shpendi ka bindur trajnerin Sylvinho për grumbullimin e muajit shtator dhe pritet të jetë tashmë pjesë e rregullt e ekipit të parë.
Mediat italiane raportojnë se në zyrat e klubit të Cesenës, ku Shpendi është shndërruar në një sulmues të spikatur fillimisht në Serinë C dhe më pas në Serinë B, ka mbërritur ftesa për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares shqiptare.
E para është një miqësore kundër Gjibraltarit, ku trajneri Sylvinho mund të eksperimentojë me Shpendin në fushë, ndërsa e dyta është ndeshja zyrtare ndaj Letonisë për kualifikueset e Botërorit.
Ftesa për Shpendin ishte pritur prej kohësh, por gjatë vitit të fundit ai nuk ishte përfshirë në planet e trajnerit, pavarësisht formës së shkëlqyer që tregoi në repartin e avancuar. Tani, sulmuesi i Cesenës do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij edhe në nivelin më të lartë me Kombëtaren.