Krisje në familjen Beckham: Victoria në konflikt të thellë me të birin Brooklyn

Një nga krizat më të dhimbshme familjare po trondit dinastinë Beckham. Raportet nga mediat britanike flasin për një përkeqësim të marrëdhënieve mes Victoria Beckham dhe djalit të saj të madh, Brooklyn, duke u kthyer në një nga sfidat më të rënda emocionale për ish-anëtaren e Spice Girls.
Sipas burimeve për The Sun, tensionet e vjetra mes familjes Beckham dhe çiftit Brooklyn-Nicola Peltz janë rikthyer me intensitet të shtuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për paqe nga ana e prindërve. Victoria dhe David thuhet se janë munduar shumë të rindërtojnë marrëdhëniet me nusen e tyre, veçanërisht pas përplasjeve që nisën para dasmës së tyre në vitin 2022.
“Victoria nuk fle rehat kur mendon se një nga fëmijët e saj është në konflikt me familjen. E ka përjetuar shumë rëndë gjithë këtë situatë,” tha një burim pranë familjes.
Shkëndijat e krizës janë bërë më të dukshme gjatë festimeve të 50-vjetorit të David Beckham. Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, Nicola, munguan në të gjitha eventet, nga darka luksoze në Londër e deri te pritja familjare në rezidencën e Beckham-ëve në Cotswolds — një sinjal që ka ngritur dyshime për një ftohje serioze.
Spekulimet për një marrëdhënie të tensionuar mes Victoria-s dhe Nicola-s nuk janë të reja, por duket se përpjekjet për t’i sheshuar dallimet kanë dështuar. Ndërkohë, thashethemet për një afërsi të dyshimtë mes Brooklyn-it dhe një vajze me emrin Kim janë mohuar kategorikisht nga burime të afërta me familjen.
Ndërsa imazhi publik i familjes Beckham vazhdon të jetë ai i unitetit dhe suksesit, në prapaskenë, duket se një ndarje e dhimbshme po e trondit këtë familje ikonë.