Kreu i KMSH uron Papën e ri: “Papa Leoni XIV, simbol i paqes dhe bashkëjetesës”

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar Papën Leoni XIV pas zgjedhjes së tij në krye të Vatikanit, të enjten. Në një mesazh publik, Spahiu e cilëson këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm jo vetëm për besimtarët katolikë, por për të gjithë besimtarët në mbarë botën.
“Me rastin e zgjedhjes së Papës së ri, kam kënaqësinë të shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për gjithë besimtarët katolikë shqiptarë dhe ata nga mbarë bota,” shprehet ai në urimin e tij.
Spahiu nënvizon se komuniteti mysliman shqiptar e mirëpret këtë zhvillim me “një shpirt paqeje dhe bashkëpunimi”, duke theksuar rëndësinë e rolit të liderëve fetarë në promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit mes popujve.
“Në këtë kohë sfidash, udhëheqësit fetarë kanë një rol të rëndësishëm në nxitjen e harmonisë mes njerëzve, pavarësisht dallimeve fetare apo kombëtare. Urojmë që Papa i ri të jetë një simbol i paqes dhe bashkëjetesës për të gjithë njerëzit,” shtoi Spahiu.
Në përfundim, kreu i KMSH-së i shpreh Papës Leoni XIV urimet më të mira në misionin e tij të ri në krye të Kishës Katolike.