Kosova

Krasniqi reagim pas vendimit të Speciales: Gjykata humbi një mundësi për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila refuzoi mocionin për heqjen e disa pjesëve të aktakuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Krasniqi e ka quajtur këtë vendim “një mundësi të humbur” për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare, duke theksuar se drejtësia duhet të qëndrojë mbi parime si objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta.

“Sot, Gjykata Speciale në Hagë refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Edhe ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare”, shkroi ai.

Krasniqi nënvizoi se qytetarët e Kosovës dhe familjet e çlirimtarëve nuk kërkojnë favore, por vetëm drejtësi të paanshme dhe të pandikuar nga paragjykimet. “Liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, tha ai.

Ai theksoi se historia e Kosovës është shkruar me sakrificën e popullit dhe jo në “sallat e heshtura të gjykatave”, ndërsa ritheksoi bindjen e tij për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre”, përfundoi kryetari i PDK-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button