Kosova

KQZ vendos numrin e fletëvotimeve dhe materialeve zgjedhore për zgjedhjet lokale më 12 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për numrin e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese që do të shtypen për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,410 fletëvotime. Po ky numër është planifikuar edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale. Në këtë total përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe ato për votimin me postë.

KQZ njofton se numri i fletëvotimeve është 13% më i ulët se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar është 2,069,098. Nga këta, 2,025,105 votues janë regjistruar në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43,993 janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.

Procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra dhe 2,571 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra dhe 54 vendvotime janë për votimin me kusht.

Zgjedhjet lokale në Kosovë priten të zhvillohen më 12 tetor, ndërsa KQZ ka garantuar që të gjitha materialet zgjedhore të jenë të gatshme për këtë proces.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button