
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të votojnë me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale. Afati i aplikimit do të përfundojë më 29 gusht 2025.
Nga data 23 korrik deri më 22 gusht, përmes platformës elektronike të KQZ-së diaspora.kqz-ks.org
, janë pranuar gjithsej 16,902 aplikime për regjistrim. Prej tyre, 13,360 janë aprovuar, ndërsa 3,542 janë refuzuar.
KQZ ka bërë të ditur se shumica e refuzimeve kanë ardhur për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën e banimit jashtë Kosovës. Dokumentet e pranueshme përfshijnë: dokument identifikues me adresë të banimit, vërtetim nga autoritetet lokale, kontratë qiraje, faturë shërbimesh, dokument bankar apo sigurimi, si dhe dëshmi të tjera specifike si rezervim hoteli apo kontratë konvikti.
Aplikuesit e refuzuar njoftohen individualisht për arsyet e refuzimit dhe kanë mundësi të ri-aplikojnë duke bashkëngjitur dokumentet e kërkuara, gjatë kohës që zgjat periudha e regjistrimit.
Vetëm shtetasit e Kosovës që regjistrohen brenda këtij afati do të kenë të drejtë të votojnë përmes postës, në periudhën që fillon më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2025.