KQZ vazhdon pranimin e aplikimeve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Afati për aplikim ka filluar më 26 qershor dhe përfundon më 13 gusht 2025. Për të lehtësuar këtë proces, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, e cila u mundëson subjekteve politike të aplikojnë online.
Sipas udhëzimeve, përfaqësuesit e autorizuar të iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur duhet të plotësojnë të dhënat përmes platformës. Ndërkohë, partitë politike të regjistruara dhe koalicionet tashmë i kanë pranuar kredencialet e tyre dhe nuk kanë nevojë të ndjekin këtë hap.
Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasje në platformë, nëse aplikimi miratohet.
Për më shumë informacione, dokumentacionin dhe kushtet e aplikimit, KQZ inkurajon subjektet politike që të kontaktojnë Zyrën përmes emailit [email protected] ose përmes telefonit +383 38 200 81 010, nga ora 08:00 deri në 16:00.