Kosova

KQZ përgatitet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare: “Sfiduese, por do t’i përmbushim detyrimet ligjore”

Pas dështimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare — të dytat brenda vitit 2025.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është aktualisht i angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë, por mbetet i gatshëm të përmbushë çdo detyrim kushtetues në rast të shpalljes së zgjedhjeve të reja.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. Ashtu siç kemi thënë çdo herë, KQZ mbetet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi për Ekonomia Online.

Ai shtoi se organizimi i një procesi të ri zgjedhor në një periudhë kaq të shkurtër do të jetë sfidues për institucionin.

“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, deklaroi ai.

Nëse vendimi për shpërndarjen e Kuvendit merret brenda ditëve në vijim, Kosova do të përballet me dy palë zgjedhje brenda një viti — një situatë e rrallë që pritet të testojë kapacitetet logjistike dhe institucionale të KQZ-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button