KQZ nis sot takimet informuese me diasporën për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot, më 11 gusht 2025, takimet informuese me qytetarët e Kosovës nga diaspora që ndodhen për pushime në vend. Aktivitetet do të zhvillohen çdo ditë pune, nga ora 11:00 deri në 14:00, deri më 29 gusht.
Qytetarët e interesuar mund të vizitojnë selinë qendrore të KQZ-së, në rrugën “Migjeni” nr. 21, si dhe zyrat e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për të marrë informacion mbi procesin e zgjedhjeve lokale, veçanërisht për regjistrimin dhe votimin jashtë vendit.
KQZ kujton se periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 23 korrik dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025. Aplikimi bëhet individualisht, përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në adresën e KQZ-së.
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, për zgjedhjet lokale votimi jashtë vendit bëhet vetëm përmes postës. Periudha e votimit do të zgjasë nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025 dhe do të vlejë vetëm për ata që regjistrohen me sukses brenda afatit.