Kosova

KQZ merr vendime kyçe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor.

Në këtë mbledhje u miratua programi i trajnimit për Trupat Menaxhuese të Zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor, i cili do të përfshijë mijëra persona që do të angazhohen në proces, përfshirë trajnerë, anëtarë të Këshillave të Vendvotimit, ekipe mobile për personat me nevoja të veçanta, numërues në 38 Qendra Komunale të Numërimit, si dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Ky program ka për qëllim pajisjen e stafit me njohuritë e nevojshme për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit, votimin me kusht, si dhe për trajtimin e votuesve me nevoja të veçanta.

Gjithashtu, KQZ ka miratuar edhe procedurën për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VPNV). Ky udhëzues parashikon mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe votimit të personave që nuk mund të paraqiten fizikisht në vendvotimin e tyre, duke siguruar një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet ligjore.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i mbledhjes ishte largimi nga lista votuese i 1,514 personave të vdekur, të cilët figuronin ende në listë. Sipas KQZ-së, bëhet fjalë për persona që në ditën e zgjedhjeve do të kishin 95 vjeç ose më shumë, por janë verifikuar si të ndjerë nga zyrtarët ekzekutivë të KQZ-së në komuna të ndryshme të Kosovës.

Me këto vendime, KQZ synon të garantojë një proces zgjedhor më të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button