KQZ: Mbyllet këtë javë afati për ndërrim të Qendrës së Votimit dhe regjistrim të diasporës për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në fillim të mbledhjes, u prezantua raporti informues mbi ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë paraqitur 8,107 kërkesa për ndërrim të Qendrës së Votimit brenda komunës, prej të cilave 7,432 janë aprovuar, ndërsa 675 janë refuzuar pasi aplikuesit nuk kanë bashkëngjitur fotografinë me dokument identifikues. Afati për ndërrim të Qendrës së Votimit përfundon këtë të premte, më 29 gusht 2025.
Po ashtu, KQZ njoftoi se këtë të premte mbyllet edhe procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për votim me postë. Deri më 25 gusht (ora 09:00), përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org
, janë aprovuar 21,436 kërkesa, ndërsa 5,244 janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën e banimit apo mospërputhjes së saj me adresën e deklaruar.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025.