KQZ mblidhet sot në ora 13:30: Në fokus rishpërndarja e buxhetit dhe lista e votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila pritet të fillojë në ora 13:30. Pikat kryesore të rendit të ditës lidhen me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të dekretuara nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Një nga çështjet më të rëndësishme që do të shqyrtohet është raportimi mbi vlerësimin për rishpërndarjen e buxhetit të aprovuar të KQZ-së për vitin 2025. Po ashtu, pritet të shqyrtohet edhe procedura standarde e veprimit për krijimin e Listës së Votuesve.
Kjo mbledhje zhvillohet në një kohë kur ka shqetësime serioze për mungesën e përgjigjes nga ana e qeverisë në detyrë lidhur me kërkesën për buxhet shtesë. Sipas burimeve të Klan Kosovës, KQZ-ja ka kërkuar rreth 6.5 milionë euro shtesë, që konsiderohen të domosdoshme për organizimin e procesit zgjedhor, përfshirë edhe shpenzimet për votuesit jashtë vendit.
Megjithëse kjo kërkesë është dorëzuar në fund të muajit qershor, qeveria Kurti deri më tani nuk e ka përfshirë në rendin e ditës në asnjërën nga mbledhjet e saj. Kjo vonesë është cilësuar si rrezik për fillimin me kohë të procedurave tenderuese dhe organizimin teknik të zgjedhjeve.
Në mbledhjen e 24 qershorit të KQZ-së, anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, ngriti alarmin për këtë çështje duke theksuar se mungesa e buxhetit rrezikon operacionet zgjedhore, sidomos në lidhje me votimin nga diaspora. Ndërkaq, përfaqësuesi i VV-së, Alban Krasniqi, e hodhi fajin mbi vetë institucionin, duke thënë se kërkesat shtesë nuk ishin planifikuar në kohë nga KQZ.
Kujtojmë se më 13 qershor, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve lokale, i cili kap vlerën prej 16.1 milionë euro, ndërsa buxheti shtesë prej 6.5 milionësh do të shërbente kryesisht për organizimin e votimit të qytetarëve jashtë vendit, përmes dërgimit të pakove me fletëvotime.
Në kohën kur partitë politike kanë filluar zyrtarizimin e kandidaturave për kryetarë komunash, kjo mbledhje e KQZ-së shihet si vendimtare për ecurinë teknike të përgatitjeve zgjedhore.