KQZ ende pa datë për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka ende ndonjë datë të caktuar se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale të 12 tetorit. Megjithatë, nga ky institucion bëjnë të ditur se po punojnë intensivisht që procesi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për KosovaPress se deri të premten në mëngjes, 23 komuna kanë përfunduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Aktualisht në qendrat komunale të numërimit po bëhet verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe për kuvendet komunale. Më shumë se gjysma prej tyre tashmë e kanë përmbyllur këtë proces, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme dhe gjatë fundjavës,” tha Elezi.
Ai shtoi se rezultatet përfundimtare do të shpallen vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore, përfshirë numërimin e votave nga jashtë Kosovës, të votave me nevoja të veçanta dhe të atyre me kusht.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar maksimalisht që sa më shpejt të shpallë rezultatet përfundimtare, veçanërisht për garën e kryetarëve të komunave, për faktin se sipas ligjit raundi i dytë i zgjedhjeve mund të mbahet pas katër javësh – pra më 9 nëntor,” theksoi Elezi.
Megjithatë, ai kujtoi se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk do të thotë mbyllje e procesit zgjedhor, pasi subjektet kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), dhe nëse është e nevojshme, çështjet mund të shkojnë deri në Gjykatën Supreme.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, shtatëmbëdhjetë komuna pritet të shkojnë në balotazh për kryetarë, pesë më pak se në vitin 2021. Në balotazh do të jenë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku dhe Kllokoti.
Ndërkohë, 22 komuna tashmë kanë përfunduar garën me fitues të qartë: Deçani, Drenasi, Istogu, Ferizaj, Lipjani, Novobërda, Podujeva, Skenderaj, Shtime, Kamenicë, Shtërpcë, Zubin Potoku, Zveçani, Malisheva, Mamusha, Hani i Elezit, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Graçanica.



