Kosova
Kryesore

KQZ çregjistron “Lëvizjen për Bashkim”, përgatitjet për zgjedhjet lokale në vijim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar vendimin për çregjistrimin e partisë politike “Lëvizja për Bashkim”, pas dorëzimit të vendimit dhe dokumentacionit mbështetës nga kjo parti për pushimin e të gjitha aktiviteteve politike.

Pas këtij vendimi, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do ta njoftojë Bankën Qendrore të Kosovës për bllokimin dhe më pas mbylljen e llogarisë bankare të partisë, si dhe Administratën Tatimore për fshirjen e numrit fiskal.

Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e KQZ-së u informuan për ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.

Sipas të dhënave të paraqitura, deri më 9 korrik janë pranuar 633 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, prej të cilave 566 janë aprovuar, ndërsa 66 janë refuzuar për shkak të mungesës së fotografisë me dokument identifikues.

Gjithashtu, vazhdon periudha e aplikimit online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, e cila ka nisur më 26 qershor dhe përfundon më 13 gusht. Deri tani, 47 subjekte politike të regjistruara, 6 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur kanë marrë qasje në platformën për certifikim.

KQZ u njoftua gjithashtu se është përzgjedhur operatori fitues për auditimin e raporteve financiare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Auditimi pritet të nisë së shpejti dhe raportet do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button