KQZ bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e nesërme lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet lokale që mbahen nesër në Kosovë.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, njoftoi se është përmbyllur procesi i shpërndarjes së pajisjeve teknologjike, përfshirë kamerat dhe materialet e tjera zgjedhore, të cilat janë transportuar nëpër qendrat komunale të numërimit nën masa sigurie të Policisë së Kosovës.
Ai po ashtu bëri të ditur se dërgesat postare me fletëvotime nga jashtë vendit do të tërhiqen më 13 tetor në pjesën më të madhe të shteteve, ndërsa në Nju Jork ato do të tërhiqen më 14 tetor për shkak të festës zyrtare atje.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ngriti shqetësimin se në disa vende jashtë vendit janë kthyer dërgesat postare për shkak të mbushjes së kutive postare. Në lidhje me këtë, sekretariati tha se nuk ka marrë ende informacione të tilla.
Kurteshi po ashtu ngriti çështjen e problemeve teknike me sistemin e të dhënave, për të cilin Buzhala siguroi se është punuar për muaj të tërë që procesi i publikimit të rezultateve të mos pësojë bllokime.
Në fund të mbledhjes, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.
“Në emër të KQZ-së ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike. Pjesëmarrja e juaj është e një rëndësie të veçantë, prandaj ju inkurajojmë të bëheni pjesë e këtij procesi. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore,” tha Radoniqi.
Ai shtoi se KQZ është në bashkëpunim të plotë me institucionet e sigurisë për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë, të qetë dhe demokratik./KP/



