Kosova U19 mposht Shqipërinë dhe siguron fitoren e dytë në turneun ndërkombëtar

Kosova U19 ka vazhduar me rezultate pozitive në turneun ndërkombëtar që po zhvillohet në Tiranë, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas triumfit ndaj Moldavisë, të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kanë shënuar fitore edhe ndaj Shqipërisë U19 me rezultat minimal 1:0.
Golin e vetëm dhe të fitores për Dardanët e realizoi Medjen Llumnica në minutën e 74-të, duke vulosur kështu suksesin e dytë radhazi për Kosovën në këtë turne.
Trajneri Bunjaku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Lindsay Gutaj, Floni Selimi, Medjen Llumnica, Rinor Rexhepi, Engjell Krasniqi, Albert Rrahmani, Omer Bajraktari, Endrit Hasanmetaj, Valon Cena, Rin Ahmeti dhe Fatjon Haxhiu. Gjatë lojës u inkuadruan edhe: Reis Paci, Diart Gashi, Leart Salihu, Leandro Maksutaj, Gentian Dushaj, Arlind Qela, Omer Shala, Erion Hoti, Melvin Hoxha dhe Anik Vitija.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi Bunjaku u shpreh i kënaqur me fitoren, por kërkoi më shumë nga ekipi në lojën me dhe pa top:
“Jam i kënaqur me rezultatin, derisa me lojën vetëm pjesërisht. Mendoj se kemi bërë një hap të mirë përpara. Nuk është ende gjithçka ashtu siç dua unë, por jemi mirë të përgatitur për ndeshjet kualifikuese. Dua të falënderoj stafin tim dhe djemtë për angazhimin e treguar në këto dy ndeshje”.
Kosova U19 do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Evropian në Grupin e 12-të, së bashku me Norvegjinë, Gjermaninë dhe Armeninë. Ndeshjet do të zhvillohen në Norvegji më 8, 11 dhe 14 tetor 2025.