Kosova

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nisin zbatimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po avancojnë në konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, marrëveshje kjo e nënshkruar më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve. Grupi i ekspertëve po punon në planin operacional për zbatimin e kësaj deklarate, ndërsa në shtator pritet të miratohet udhëzuesi për bashkëpunimin nga ministritë përgjegjëse.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thekson rëndësinë e bashkëpunimit për blerjet e përbashkëta të armatimit. Kjo do të mundësojë që tri vendet të bëjnë një porosi të përbashkët për pajisje ushtarake, duke përfituar çmime më të favorshme dhe kohë më të shpejtë dorëzimi. Fondet për këtë do të sigurohen nga buxhetet kombëtare të secilit shtet.

Në fokus janë katër pika kryesore të bashkëpunimit: promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë së mbrojtjes; rritja e ndërveprueshmërisë përmes trajnimeve dhe stërvitjeve; kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride, përfshirë ato kibernetike dhe fushatat e dezinformimit; dhe mbështetja për integrimin euroatlantik të vendeve, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi nuk është krijimi i një aleance ushtarake të re, por përforcimi i sigurisë rajonale dhe pozicionimit më të mirë për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

Maqedonci njofton se në takimin e ardhshëm të Kartës SHBA-Adriatik, që do të mbahet në tetor, do të kërkohet bashkëpunimi edhe i vendeve të tjera rajonale për të përforcuar këtë iniciativë, ku Kosova mban statusin e vëzhguesit.

Ndërkaq, Serbia është shprehur kundër kësaj nisme, duke pretenduar se ajo shkel marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996 për kufizimin e armatimit.

Ky bashkëpunim rajonal pritet të ndikojë pozitivisht në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke adresuar sfidat moderne dhe duke përshpejtuar integrimin e vendeve në strukturat euroatlantike.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button