Kosova
Kryesore

Kosova po përballet me rritje të rasteve të parave të falsifikuara

Qytetarët e Kosovës po hasin gjithnjë e më shumë në para të falsifikuara, të cilat po qarkullojnë në treg. Vetëm nga 1 janari deri më 31 gusht 2025, Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka regjistruar 1.269 kartëmonedha të falsifikuara.

Sipas statistikave, kartëmonedha më e falsifikuar është ajo prej 200 eurosh, me gjithsej 556 raste të zbuluara. Pas saj renditet kartëmonedha 50 euro me 244 raste, ndërsa nga ato prej 100 euro janë hasur 237 copë. Po ashtu, janë zbuluar edhe falsifikime në kartëmonedha të tjera: 86 raste nga 20 euro, 82 nga 5 euro, 53 nga 10 euro dhe 11 nga 500 euro.

Përveç kartëmonedhave, edhe monedhat metalike po falsifikohen masivisht. Vetëm në tetë muajt e parë të vitit janë zbuluar 29.309 monedha false, prej të cilave 26.259 ishin 2 euro, 3.024 ishin 1 euro, ndërsa 26 copë ishin 0.50 cent.

Eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, thotë se ky fenomen nuk e trondit stabilitetin makroekonomik të euros, por sjell pasoja të mëdha për qytetarët dhe bizneset.
“Efekti më i madh është zinxhir, pasi krijon pasiguri në përdorimin e parasë fizike dhe komplikon qarkullimin normal të transaksioneve,” u shpreh ai.

Falsifikimi i parasë është i dënueshëm me gjobë ose burgim sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ligji për Bankën Qendrore gjithashtu përcakton se çdo kartëmonedhë ose monedhë e dyshuar si false duhet të tërhiqet nga qarkullimi dhe t’u dorëzohet autoriteteve përkatëse.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button