Kosova pëson humbje të thellë 4:0 ndaj Zvicrës, Foda i zhgënjyer me paraqitjen

Kombëtarja e Kosovës u mposht me rezultat të thellë 4:0 nga Zvicra në “St. Jakob-Park” të Basel-it, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, shprehu zhgënjimin e tij, veçanërisht për paraqitjen e skuadrës në pjesën e parë të takimit. “Ju kam thënë lojtarëve se në pjesën e parë nuk e kanë treguar fytyrën e vërtetë. Kemi humbur shumë lehtë topin. Kundërshtarëve u kemi lejuar të shënojnë gola shumë lehtësisht”, deklaroi Foda.
Megjithatë, tekniku gjerman theksoi se në fraksionin e dytë skuadra kishte reaguar më mirë, duke treguar stabilitet në mbrojtje dhe më shumë organizim në lojë. “Në pjesën e dytë ishte shumë, shumë më mirë. Në mbrojtje ishim shumë më stabil. Duhet të harrojmë këtë ndeshje. Do të rigjenerohemi. Duhet të përgatitemi për Suedinë”, shtoi ai.
Kosova tashmë do të përballet me Suedinë në ndeshjen e radhës, një rival direkt në garën për kualifikim, duke kërkuar një rikthim të shpejtë pas humbjes së thellë.