Kosova
Kryesore

Kosova përfshihet nga reshje shiu, IHMK sqaron situatën meteorologjike

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh, vendi është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar. Reshjet janë regjistruar në pjesën më të madhe të territorit dhe kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 22 gusht.

Ky ndryshim ka sjellë ulje të temperaturave për rreth 2–3°C në mbarë vendin dhe ka përmirësuar dukshëm situatën klimatike dhe mjedisore. Reshje lokale pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e gjendjes me zjarret dhe duke zvogëluar rrezikun për përhapjen e tyre.

IHMK gjithashtu ka reaguar ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe mediave për mundësinë e “stuhive të fuqishme” dhe “erërave të forta”, veçanërisht në Prishtinë. Instituti thekson se këto informacione janë përhapur nga portale të paautorizuara dhe nuk bazohen në të dhëna zyrtare, duke krijuar panik të panevojshëm.

IHMK apelon që qytetarët dhe mediat të mbajnë si burim vetëm informatat zyrtare për gjendjen meteorologjike, për të shmangur keqinformimin dhe shqetësimet e panevojshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button