Kosova përfshihet në kornizën e re financiare të BE-së, pavarësisht mungesës së statusit kandidat

Kosova do të përfshihet në kornizën e ardhshme shumëvjeçare financiare të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034, edhe pse ende nuk ka statusin zyrtar të vendit kandidat. Lajmi u konfirmua nga Komisionerja për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, e cila theksoi se Kosova do të mbetet pjesë e instrumenteve financiare të unionit.
“Sa i përket Kosovës, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare. Siç e dini, Kosova është tashmë pjesë edhe e Planit të Rritjes,” u shpreh Kos.
Komisioni Evropian ka prezantuar të mërkurën dokumentin më të rëndësishëm buxhetor të BE-së — Kornizën Shumëvjeçare Financiare — e cila përfshin një fond prej 2 trilionë eurosh për shtatëvjeçarin e ardhshëm. Kjo kornizë parasheh mbështetje të konsiderueshme për të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit, duke përfshirë edhe ato pa status formal kandidatësh.
“Zgjerimi nuk e bën Bashkimin Evropian vetëm më të madh në sipërfaqe dhe në numër banorësh. Zgjerimi ka të bëjë me bashkimin e Evropës. Duke rritur mbështetjen për të gjithë ata që plotësojnë kushtet e anëtarësimit, ne jemi në rrugën e duhur për të bashkuar Evropën tonë,” shtoi Komisionerja.
Në rast se deri më 2034 ndonjë shtet arrin të anëtarësohet në BE, atëherë korniza buxhetore do të rishikohet dhe mund të pësojë ndryshime.
Aktualisht, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit, me pritshmëri që ta përmbyllin procesin brenda kësaj dekade.