Kosova nis misionin për Botërorin 2026, përballë Zvicrës në Basel

Sonte, Kombëtarja e Kosovës nis rrugëtimin për kualifikim në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, duke u përballur me Zvicrën në stadiumin e Baselit, me fillim nga ora 20:45.
Kosova bën pjesë në Grupin B të kualifikimeve, së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Edhe pse renditet e 95-ta në listën e FIFA-s, “Dardanët” kanë treguar formë të mirë kohët e fundit dhe shpresojnë për rezultate pozitive.
Në nëntë ndeshjet e fundit, Kosova ka regjistruar tetë fitore dhe vetëm një humbje, duke përfshirë edhe promovimin në Ligën B pas fitores ndaj Islandës në play-off.
Sonte, stadiumi i Baselit pritet të jetë i mbushur me tifozë shqiptarë në përkrahje të Kosovës. Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, tha se tifozeria do të ndahet përgjysmë dhe lavdëroi Kosovën për formën e mirë, duke theksuar se nuk do të ketë më duel vëllazëror me ta.
Ndërkohë, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, shprehu optimizëm dhe theksoi se skuadra e tij nuk do të luajë vetëm për t’u mbrojtur.
Tri ditë më vonë, Kosova do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.