Kosova ngjitet në Indeksin e Pasaportave Henley për vitin 2025 – Arrin vendin e 61-të me 82 destinacione pa viza

Kosova ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në Indeksin e Pasaportave Henley për vitin 2025, duke u ngjitur për shtatë pozita krahasuar me një vit më parë. Pas liberalizimit të vizave në vitin 2024, pasaporta kosovare tani renditet në vendin e 61-të, duke u mundësuar qytetarëve të udhëtojnë pa viza në 82 destinacione anembanë botës.
Indeksi prestigjioz, i cili hartohet bazuar në të dhënat ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), mat fuqinë e pasaportave në bazë të numrit të vendeve ku mbajtësit mund të udhëtojnë pa viza ose me viza në mbërritje.
Megjithë përmirësimin, Kosova mbetet ende pas vendeve tjera të rajonit. Serbia zë vendin e 34-të me qasje pa viza në 138 destinacione, Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e 38-të me 130 destinacione, Mali i Zi në vendin e 40-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 42-të, ndërsa Shqipëria renditet në vendin e 43-të me 122 destinacione pa viza.
Ndërkohë, pasaporta më e fuqishme në botë për vitin 2025 mbetet ajo e Singaporit, e ndjekur nga Japonia dhe Koreja e Jugut, që zënë vendin e dytë dhe të tretë respektivisht.
Ky përditësim vjen si një tregues i përparimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa përmirësimi i mëtejshëm i lirisë së lëvizjes për qytetarët kosovarë mbetet një synim i rëndësishëm diplomatik për të ardhmen.