Kosova
Kryesore

Kosova ndër vendet më të sigurta në botë, e para në Evropë sipas raportit Gallup 2025

Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë dhe e para në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit, sipas Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator.

Në këtë raport prestigjioz, Kosova ka arritur 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u pozicionuar e treta në nivel global, pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë). Ky vlerësim e vendos Kosovën përpara shteteve të njohura për sigurinë e lartë, si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.

Një tjetër tregues domethënës është fakti se 89% e qytetarëve të Kosovës shprehen se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonat ku jetojnë – një nga përqindjet më të larta në botë dhe Evropë.

Policia e Kosovës thekson se këto rezultate janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe institucione të tjera të sigurisë, si dhe mbështetjes nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

“Ky vlerësim është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës për ofrimin e një shërbimi profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim,” thuhet në reagimin zyrtar të Policisë në rrjetet sociale.

Policia e Kosovës rikujton angazhimin e saj në mbrojtjen e jetës dhe pronës, duke ofruar siguri dhe shërbim profesional për të gjithë qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button