KFOR zhvillon trajnime për kontrollin e turmave dhe trajtimin e situatave emergjente në Kosovë

Kontingjenti i Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it ka zhvilluar trajnime për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave në Kampin Nothing Hill, në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtarët kryen një gamë të gjerë detyrash, duke përfshirë kapërcimin e pengesave, kontrollin e turmave, asgjësimin e municioneve shpërthyese dhe ofrimin e ndihmës për viktimat, në mënyrë që të përmirësojnë aftësitë operacionale në një mjedis realist trajnimi.
KFOR thekson se këto ushtrime mbështesin ndërveprimin, kohezionin dhe besimin midis njësive të ndryshme të misionit, elementë kyç për të siguruar gatishmërinë dhe efektivitetin operacional në mjedise komplekse sigurie.
Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë.
KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të siguruar reagim efikas ndaj çdo situate sigurie.



