Kosova

Kosova ndalon importin e kafshëve dhe produkteve të derrit nga Serbia për shkak të shpërthimit të dy sëmundjeve infektive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se Kosova ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia, pas shpërthimit të dy sëmundjeve të rrezikshme: “Gjuha e Kaltër” dhe “Murtaja Afrikane e Derrit”.

Në njoftimin zyrtar thuhet se masa është ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve brenda territorit të Republikës së Kosovës, pas informacioneve të publikuara në sistemet ndërkombëtare ADIS dhe WAHIS për përhapjen e këtyre sëmundjeve në Serbi.

“Ndalimi përfshin importin e gjedhëve, deleve, dhive, derra dhe çdo produkti me origjinë nga derri nga territori i Serbisë, përfshirë edhe produktet që merren gjatë udhëtimit,” thuhet në komunikatën e AUV.

Autoritetet kufitare, përfshirë Policinë e Kosovës, Doganat dhe AUV, janë urdhëruar të rrisin nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare për të parandaluar futjen e produkteve potencialisht të infektuara në vend. Kontrolle shtesë do të aplikohen edhe në bagazhet personale të udhëtarëve.

AUV u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe të mos kalojnë kufirin me produkte të derrit me origjinë nga Serbia, pavarësisht nëse përdoren për konsum personal gjatë udhëtimit.

Sëmundja “Gjuha e Kaltër” është një virus që prek kryesisht delet, dhitë dhe gjedhët, dhe përhapet përmes pickimit të mushkonjave të llojit Culicoides. Ndërkohë, “Murtaja Afrikane e Derrit” është një virus vdekjeprurës për derrat shtëpiak dhe të egër, që nuk ka shërim dhe është shumë rezistent në ambient.

Të dyja këto sëmundje nuk janë zoonotike, që do të thotë se nuk përbëjnë rrezik për shëndetin e njerëzve, por përbëjnë rrezik serioz për blegtorinë dhe industrinë bujqësore.

Autoritetet apelojnë për bashkëpunim të plotë nga qytetarët dhe subjektet ekonomike për të parandaluar përhapjen e mëtejme të sëmundjeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button