Kosova miraton Rezolutë për Luginën e Preshevës, 73 vota pro

Refik Hasani ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar një rezolutë për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, rezoluta synon mbështetje më të madhe për shqiptarët autoktonë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke theksuar parimin e reciprocitetit në raport me Serbinë. Kjo nënkupton që të drejtat që gëzon pakica serbe në Kosovë duhet t’u garantohen në të njëjtin nivel edhe shqiptarëve në këto treva.
Hasani bëri të ditur se propozimi ishte dorëzuar disa ditë më parë dhe ishte adresuar te kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci. Ai shtoi se iniciativa mori mbështetje edhe nga subjektet e tjera politike në Kuvend.
Rezoluta u miratua në seancën e rregullt të Kuvendit me 73 vota pro, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas Hasanit, ky vendim përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm të Kosovës për të mbështetur shqiptarët në Luginën e Preshevës përmes projekteve dhe politikave konkrete institucionale.



