Kosova
Kryesore

Kosova merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë

Sot në Kopenhagë të Danimarkës po zhvillohet samiti i shtatë i Komunitetit Politik Evropian, ku marrin pjesë 45 udhëheqës shtetesh, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se diskutimet do të fokusohen në forcimin e Ukrainës, sigurinë në Evropë dhe ndërtimin e një mjedisi më të qëndrueshëm gjeopolitik. Gjatë takimit do të mbahen tryeza të veçanta diskutimi për çështje që lidhen me kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migracionin.

Samiti udhëhiqet bashkërisht nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Nga Presidenca e Kosovës është theksuar se ky forum synon forcimin e lidhjeve politike e ekonomike në Evropë dhe ofrimin e zgjidhjeve për sfidat e përbashkëta.

Komuniteti Politik Evropian është themeluar më 2022 si nismë e presidentit francez, Emmanuel Macron, pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai shërben si një platformë politike për dialog ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj, pa zëvendësuar procesin e anëtarësimit në union.

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e vetmja që nuk ka ende statusin e vendit kandidat për BE, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen më të avancuar në rrugën integruese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button