Kosova lehtëson ndalesën për importin e kafshëve nga Hungaria, përjashtohen dy zona

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur të shfuqizojë ndalesën për importin e kafshëve të gjalla dy thundrake – përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat – si dhe të produkteve të tyre nga Hungaria, me përjashtim të zonave administrative Kisbajecs dhe Gyor-Moson-Sopron.
Ky vendim është marrë më 25 korrik 2025, pas vlerësimeve të fundit nga organizatat evropiane për shëndetin e kafshëve mbi situatën epidemiologjike të sëmundjes Afta Epizootike, njofton AUV përmes një postimi në Facebook.
AUV ka theksuar se masa është në përputhje me Ligjin e Veterinarisë dhe me vendimet e vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës. Në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i dyshuar i sëmundjes, çka ka kontribuar në lehtësimin e kufizimeve.
“Falë vendimeve dhe veprimeve profesionale të menjëhershme të AUV-së, në koordinim me vendet tjera, Kosova e kaloi situatën me sukses, duke mos regjistruar asnjë rast të dyshuar për prezencë të sëmundjes Afta Epizootike në vend”, thuhet në njoftim.
AUV ka nënvizuar se mbrojtja e shëndetit veterinar dhe ekonomisë së fermerëve mbetet prioritet i saj. Po ashtu, është theksuar roli i organeve shtetërore që veprojnë në pikat kufitare, të cilat kanë mbikëqyrur me përpikëri zbatimin e masave të mëparshme.
“Lehtësimi i kufizimit për qarkullimin e mallrave mes dy vendeve ndodh duke respektuar në tërësi protokollet veterinare,” ka përfunduar AUV.