Kosova
Kryesore

Kosova humb mundësinë për t’u anëtarësuar në SEPA

Kosova ka humbur këtë javë mundësinë për t’u anëtarësuar në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), një sistem që do të lehtësonte ndjeshëm pagesat ndërkombëtare për qytetarët dhe bizneset. Ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi tashmë janë pjesë e SEPA-s, Kosova mbetet prapa për shkak të vonesave ligjore dhe bllokimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Lajmin e ka bërë të ditur eksperti ligjor Urim Vokshi, i cili ka qenë i angazhuar nga Komisioni Evropian për të vlerësuar harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së — një parakusht për anëtarësim në SEPA.

Sipas tij, edhe pse Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka përgatitur rregulloret e nevojshme dhe ka para-aplikuar për anëtarësim, procesi është pezulluar për shkak të tre ligjeve që ndodhen në shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese:

Ligji për Bankat (08/L-304)

Ligji për Shërbimet e Pagesave (08/L-328)

Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (08/L-333)

“Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është parakusht për të vazhduar ky proces më tej”, ka theksuar Vokshi.

Këto ligje ishin miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, por u dërguan për interpretim në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Pikërisht këtë e ka cilësuar si arsye kryesore për vonesën edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka fajësuar publikisht PDK-në dhe Uran Ismailin.

“A mundet me pyet dikush Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën në SEPA? Kjo nënkupton mbi 50 milionë euro në vit kosto shtesë të tarifave për bizneset tona dhe bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar Murati. Ai shtoi se pengesa e PDK-së po i kushton Kosovës mundësi të mëdha për zhvillim dhe për startupet që duan të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas vlerësimeve të German Economic Team (GET), përfitimi nga anëtarësimi në SEPA do të sillte kursime vjetore rreth 55 milionë euro për bizneset dhe qytetarët e Kosovës, falë uljes së tarifave për transferet ndërkombëtare.

SEPA, e themeluar në vitin 2008, ka për qëllim të unifikojë dhe thjeshtësojë pagesat elektronike në euro në gjithë Evropën. Përmes saj, klientët mund të kryejnë pagesa në euro në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe në disa shtete të tjera evropiane.

Aktualisht, pjesë e SEPA-s janë 41 shtete, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kosova mbetet jashtë saj, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë hapat e ardhshëm për anëtarësim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button