Kosova

Kosova ende në fazën fillestare të konsolidimit ushtarak – Çollaku: Na mungojnë sistemet mbrojtëse moderne

Njohësi i sigurisë dhe profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, ka vlerësuar se Kosova ndodhet ende në fazën fillestare të konsolidimit ushtarak, sidomos në aspektin e pajisjeve luftarake. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se vendi nuk ka armatim të rëndë dhe mungesë të theksuar të sistemeve raketore apo mburojave mbrojtëse, që janë thelbësore në rast të një sulmi modern.

“Duhet pranuar që Kosova është në atë fazën fillestare të konsolidimit ushtarak në aspektin e pajisjeve luftarake. Ne të gjithë e dimë që nuk kemi armatim të rëndë, nuk kemi as sisteme raketore, nuk kemi as mburojë raketore,” tha Çollaku, duke theksuar se në luftërat bashkëkohore, dronët dhe raketat janë bërë mjetet kryesore të sulmit.

Sipas tij, digjitalizimi dhe teknologjia e avancuar kanë ndryshuar rrënjësisht konceptin tradicional të luftës, duke vënë në pah epërsinë e pajisjeve inteligjente përballë forcës njerëzore.

“Kemi një ndryshim rrënjësor të doktrinës luftarake dhe të konceptit të luftës dhe fitores në betejë. Tani digjitalizimi dhe teknologjia e avancuar e ka primatin në raport me resursin human. Dronët dhe fluturaket e tjera janë gjithnjë e më shumë në epërsi, sidomos sistemet raketore,” tha ai.

Duke e krahasuar situatën me Serbinë, Çollaku theksoi se shteti fqinj është shumë më i përgatitur në aspektin teknik-ushtarak, me furnizim masiv në armatime dhe pajisje moderne. “Serbia nuk ka nevojë për sisteme me rreze të gjatë për shkak të afërsisë gjeografike me Kosovën. Ajo ka investuar masivisht në kapacitete ushtarake,” theksoi Çollaku.

Megjithatë, ai nënvizoi se kjo nuk duhet të shkaktojë panik. Sipas tij, Kosova ka institucione të gatshme për mbrojtje dhe një vullnet të madh qytetar, që është dëshmuar historikisht.

“Mos të tingëllojë kjo për opinionin si disfatë. Kosova ka FSK-në, ka Policinë, ka vullnetin real qytetar për të mbrojtur vendin. Sepse luftërat mbrojtëse gjithmonë kanë fituar në raport me luftërat pushtuese,” deklaroi ai.

Në fund, Çollaku shtroi nevojën urgjente për modernizim dhe furnizim të Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme të avancuara mbrojtëse, veçanërisht në fushën e mbrojtjes raketore.

“Pa dyshim që na duhet përforcim, konsolidim, na duhet furnizim me armatime dhe sisteme bashkëkohore të mbrojtjes raketore. Sot, sistemet raketore janë më të avancuara dhe më të rëndësishme në betejat moderne,” përfundoi Çollaku.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button