Korriku 2025, muaji i tretë më i nxehtë ndonjëherë në Tokë

Korriku i këtij viti është renditur si muaji i tretë më i nxehtë ndonjëherë i regjistruar në Tokë për këtë muaj, sipas të dhënave të fundit nga Shërbimi Evropian Copernicus për Ndryshimet Klimatike (C3S).
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike vijojnë të ndikojnë ndjeshëm në profilin termik të planetit, duke sjellë pasoja të mëdha në shkallë globale.
“Dy vite pas qershorit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, seria e rekordeve globale të temperaturës është ndërprerë për momentin. Por kjo nuk do të thotë se ndryshimet klimatike kanë përfunduar,” deklaroi Carlo Buontempo, drejtor i C3S.
Sipas raportit, temperatura mesatare globale gjatë muajit korrik 2025 ishte 1.25°C më e lartë krahasuar me mesataren e periudhës para-industriale (1850–1900), një vlerë shqetësuese që afrohet ndjeshëm me kufirin 1.5°C të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit. Ky prag është tejkaluar disa herë gjatë 24 muajve të fundit.
Megjithë një rënie të lehtë në temperaturat mesatare, korriku 2025 vijon të mbetet në listën e tre muajve më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë, duke konfirmuar trendin në rritje të ngrohjes globale.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe rritje të vogla të temperaturës mund të nxisin fenomene ekstreme dhe të rrezikshme, si stuhi të fuqishme, valë të të nxehtit, thatësira dhe mot të paparashikueshëm – shpesh me pasoja të rënda për jetën e njerëzve dhe mjedisin natyror.