Korçë, nën vëzhgim të rreptë procesi zgjedhor – Task-forca e Prokurorisë gati për çdo denoncim

Procesi zgjedhor në qarkun e Korçës po monitorohet në vazhdimësi nga task-forca e posaçme e ngritur pranë Prokurorisë së Korçës, nën drejtimin e prokurorit të SPAK, Vladimir Mara.
Në përbërje të kësaj task-force janë përfshirë prokurorë të Prokurorisë së Korçës, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe struktura të Drejtorisë Vendore të Policisë. Ata po ndjekin nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe parandalimin e çdo tentative për cenim të integritetit të zgjedhjeve.
Task-forca ndodhet në gjendje gatishmërie të plotë dhe është e angazhuar të hetojë çdo denoncim që mund të vijë gjatë procesit zgjedhor, duke garantuar trajtim të paanshëm, profesional dhe të kujdesshëm të çdo rasti.
Kjo masë vjen si pjesë e angazhimeve për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore.